Paketa Fiskale 2027, bizneset kërkojnë shtyrje, paralajmërojnë rritje çmimesh dhe faliment
Paketa Fiskale 2027 ka hasur në kundërshtime të shumta nga përfaqësuesit e biznesit, të cilët kërkojnë rishikimin e masave të propozuara, shtyrjen e zbatimit të tyre dhe më shumë konsultime përpara miratimit.

Gjatë gjithë ditës së sotme, përfaqësues të dhomave të tregtisë, industrisë prodhuese, eksportuesve, turizmit, transportit, profesionistëve të lirë dhe grupeve të tjera të interesit paraqitën në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat kundërshtimet e tyre ndaj ndryshimeve fiskale që parashikohen të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2027.
Në qendër të debateve ishte rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë dhe rritja e TVSH-së për akomodimin nga 6% në 10%.
Kërkesat shkuan nga shtyrja e zbatimit të ndryshimeve deri në vitin 2029, te ruajtja e normave ekzistuese dhe vendosja e periudhave tranzitore. Dhoma Britanike e Tregtisë propozoi një kalendar gradual zbatimi prej tre deri në pesë vjetësh, ndërsa Instituti i Kontabilistëve të Miratuar kërkoi që tatimi mbi dividendin të mos ndryshojë deri në vitin 2029 dhe ulja e pragut të TVSH-së të bëhet me faza.
Paralajmërimet më të forta erdhën nga industria prodhuese. Kryetari i ProEksport Albania, Edvin Prençe, deklaroi se sektori fason, që aktualisht po humbet mesatarisht 25 vende pune në ditë, mund të arrijë në 50 vende pune të humbura çdo ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve. Arben Shkodra, nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë paralajmëroi përshpejtimin e deindustrializimit, në një kohë kur prodhimi vendas po përballet prej tre vitesh me rënie të aktivitetit.
Një nga kundërshtimet më të forta ligjore erdhi nga Aleanca e Profesionistëve të Lirë, e cila paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse miratohen dispozitat për dividendin dhe TVSH-në që, sipas saj, kanë efekt prapaveprues.
Edhe transporti publik paralajmëroi se rritja e TVSH-së standarde do të çojë në rritjen e çmimit të biletave, ndërsa shoqatat e turizmit kërkuan formalizimin e apartamenteve që jepen me qira për turistët, në vend të shtimit të barrës tatimore mbi strukturat e regjistruara.
Megjithëse propozimet e grupeve të interesit ndryshonin sipas sektorëve, shqetësimi i përbashkët ishte ndikimi i masave në kostot e biznesit, konkurrueshmërinë, investimet dhe çmimet për konsumatorët. Përfaqësuesit e sipërmarrjeve kritikuan gjithashtu mungesën e konsultimit paraprak dhe ndryshimet e shpeshta të politikave fiskale, që i bëjnë më të vështira planifikimin dhe kontratat afatgjata.
Më poshtë janë kërkesat dhe kundërshtimet kryesore të paraqitura nga grupet e interesit.
Dhomat e tregtisë kërkojnë rishikim dhe shtyrje të masave fiskale
Dhoma Amerikane, Dhoma Britanike kërkuan rishikimin e ndryshimeve të Paketës Fiskale 2027, më shumë konsultime dhe analiza të ndikimit ekonomik.
Përfaqësuesja e Dhomës Amerikane, Alketa Uruçi, kërkoi dispozita tranzitore për tatimin mbi dividendin, tatimin mbi pagën dhe TVSH-në e hotelerisë. Sipas saj, duhet të sqarohet trajtimi i fitimeve të akumuluara në vitet kur dividendi tatohej me 8%, ndërsa ndryshimet për hotelerinë duhet të shtyhen përtej sezonit pranverë-verë 2027, pasi bizneset kanë lidhur tashmë kontratat me agjencitë e huaja.
Dhoma Britanike kërkoi shtyrjen e masave me ndikim të lartë ekonomik deri në përfundimin e analizave dhe konsultimeve, duke propozuar një periudhë zbatimi gradual prej tre deri në pesë vjetësh. Të dyja dhomat theksuan se qeveria duhet të synojë zgjerimin e bazës së tatimpaguesve dhe luftën kundër informalitetit, në vend të rritjes së normave tatimore.
Kontabilistët: Dividendi të mos ndryshojë deri në 2029, pragu i TVSH-së të ulet gradualisht
Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) kërkoi shtyrjen e ndryshimeve për dividendin deri në vitin 2029 dhe zbatimin me faza të uljes së pragut të regjistrimit në TVSH.
Kryetari i IKM-së, Sotiraq Dhamo, argumentoi se rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% do të rëndojë bizneset vendase dhe mund të dobësojë tërheqjen e investimeve. Nëse qeveria nuk pranon shtyrjen, IKM propozon një rritje graduale, duke nisur me normën 10%.
Për pragun e TVSH-së, kontabilistët kërkuan që ndryshimi të nisë në vitin 2028 dhe të përfundojë në vitin 2029, pas një analize të kostove për bizneset dhe administratën. IKM kundërshtoi edhe rritjen e TVSH-së standarde në 21%, duke paralajmëruar efekte zinxhir në çmimet e produkteve.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)